Tuesday, June 18, 2013

Kukës, vdekje misterioze e të miturit 10 vjecar (FOTO -LAJM)


KUKES -Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Kukës ku një djalë vetëm 10 vjeç ka mbërritur i vdekur në spital. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës bëjnë me dije se i mituri E.Isufi ka mbërritur rreth orës 16:10 të pasdites së djeshme në Spitalin Rajonal pa shenja jete. Pasi mjekët kanë marrë në dorë trupin e 10-vjeçarit, kanë konstatuar se ai kishte një plagë plumbi hyrëse në shpatull dhe një dalëse në kraharor, çka ka konfirmuar se mbi të është qëlluar me armë zjarri. Menjëherë për ngjarjen është njoftuar policia, e cila ka shoqëruar prindërit e të miturit ku janë marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes për të zbardhur ngjarjen. 


















POLICIA 
Pasditen e djeshme 10-vjeçari E.Isufi nga fshati Shikaj i komunës Malzi të Kukësit ka mbërritur pa shenja jete në spital. Pasi mjekët kanë konstatuar vdekjen, kanë parë se i mituri ishte vrarë me armë zjarri. Menjëherë është njoftuar për ngjarjen policia, e cila pasi ka mbërritur në spitalin e Kukësit ka kryer të gjitha procedurat hetimore dhe ka shoqëruar prindërit e të miturit. Ndërkohë që një grup hetuesish kanë shkuar në fshatin Shikaj, në banesën e familjes Isufi. Sipas policisë, 10-vjeçari ka mbetur i vdekur për shkak të goditjes me armë zjarri çifte. 

Policia e Kukësit nuk e përkufizon babain si autor, por deklaron se "10-vjeçari ka mbetur i vdekur si pasojë e përdorimit të armës në prezencë të tij" dhe se arma e gjahut është në pronësi të të atit të viktimës. Goditja ka qenë fatale, pasi vetëm një predhë e armës së gjahut e ka goditur nga afër fëmijën në anën e djathtë të shpatullës ku ka prekur zemrën dhe organet e brendshme. 

HETIMET 
Deri në mbrëmje vonë trupi i 10-vjeçarit u është nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore në spitalin e Kukësit, ndërsa prindërit e tij janë marrë në pyetje për të mësuar më tej rreth ngjarjes. Megjithëse ata fillimisht kanë deklaruar se djali ka qenë vetëm, sipas policisë duke parë edhe goditjen në shpatull, është e pamundur që 10-vjeçari të ketë qëlluar vetë. 

Kështu, grupi hetimor ka përjashtuar pistën e vetëvrasjes, por sipas bluve vrasja e të miturit është aksidentale nga familjarët që kanë qenë pranë tij. Policia e Kukësit në bashkëpunim edhe me prokurorinë e këtij rrethi po heton intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. 

No comments:

Post a Comment